Shqipëria miraton ndryshimet e Standarteve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar; prezantimi i IFRS 15

Akti legjislativ shqiptar i cili përcakton parimet dhe rregullat e përgjithshme për përgatitjen e standardeve të kontabilitetit, pasqyrave financiare dhe të dhënave kontabël është ligji nr. 9222, datë 29.04.2004, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.

Sipas nenit 3 të këtij ligji, “standardet e kontabilitetit” janë parimet ose rregullat e përgjithshme për rregullimin e kontabilitetit, të përcaktuar me ligj, që shërbejnë si bazë për përzgjedhjen e mjeteve dhe metodave të kontabilitetit që aplikohen për përgatitjen dhe prezantimin e pasqyrave financiare. Në mënyrë tipike, Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit i përkthen standardet e paraqitura nga Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit. Në vazhdim, standardet dekretohen si të vlefshme dhe efektive nga Ministria e Financave. Dekreti i fundit i lëshuar nga Ministria e Financave mbi temën e standardeve të kontabilitetit është miratuar më 6 nëntor 2017, nr. 120, i cili më pas u botua në Fletoren Zyrtare në nëntor të vitit 2017.

Dekreti nr. 120 i lëshuar nga Ministri i Financave pasqyron ndryshimet e bëra në standardet e kontabilitetit, të cilat përfshijnë ndër të tjera:
– SNRF 4 (kontratat e sigurimit);
– SNRF 2 (pagesat e bazuara në aksione);
– SNRF 15 (të ardhurat nga kontratat me klientët) dhe
– SNK 40 (Aktivet afatgjata të investimit).

Ndryshimet në standard kanë hyrë në fuqi dhe janë të zbatueshme që prej datës 1 janar 2018. Si më poshtë do të jepen detajet specifike nga të cilat preken shoqëritë.

SNRF 4: Ndryshimet më të fundit përfshijnë mundësinë që njësitë ekonomike të cilat ofrojnë kontrata sigurimi të përjashtohen nga zbatimi i SNRF 9. Gjithashtu, standarti përpiqet të adresojë disa shqetësime në lidhje me vështirësitë që mund të lindin për shkak të SNRF 9. Njësia ekonomike që zgjedh të aplikojë përjashtimin, është e detyruar të japë informacion në shënimet shpjeguese.

SNRF 2: Për transaksionet e pagesave të bazuara në aksione, në të cilat mallrat ose shërbimet pranohen si pjesë e marrëveshjes së pagesës së bazuar në aksione, ndryshimet e fundit përfshijnë disa modalitete të deklaratave financiare në lidhje me metodat dhe mjetet që do të përdoren për pagesat e bazuara në aksione. Qëllimi është të prezantohet udhëzimi i kërkesave të kontabilitetit për pagesat e bazuara në aksione të rregulluara në mjete monetare që ndjekin të njëjtën qasje që përdoret për pagesat e bazuara në aksione të rregulluara me kapital neto.

SNRF 15: Ndryshimet paraqesin modelin e vetëm, të principeve bazuar në pesë hapa që do të aplikohen për të gjitha kontratat me klientët, në lidhje me njohjen e të ardhurave, uniforme për të gjitha transaksionet dhe shoqëritë, pa dallim ndërmjet kontratave. Bazuar në përdorimin e modelit me pesë hapa, momenti i njohjes së të ardhurave mund të ndryshojë. Të ardhurat nga kontrata e klientit, të cilat më parë njiheshin gjatë gjithë afatit të kontratës mund të njihen në të ardhmen vetëm një herë dhe në total, në përfundim të kontratës dhe anasjelltas. Parimi bazë i SNRF 15 është se të ardhurat do të njihen në momentin që produktet dhe / ose shërbimet transferohen nën kontrollin e klientit. Në mënyrë që të realizohet zbatimi i duhur dhe efikas i ndryshimeve të fundit, është e nevojshme të rritet rëndësia e vlerësimeve, në mënyrë që çdo produkt dhe / ose shërbim pjesë e kontratës të njihet me vlerën e tij reale.

SNK 40: Standardi ofron mundësinë e njësisë ekonomike për të transferuar një aktiv në ose nga një pasuri afatgjatë e investuar vetëm kur ka një ndryshim në përdorim. Një ndryshim në përdorim ndodh kur një pronë plotëson ose pushon së përmbushuri kriteret për të qenë një aktiv afatgjatë investimi dhe kur ka prova të ndryshimit në përdorim.

Eurofast i këshillon shoqëritë shqiptare që të shqyrtojnë tërësisht ndikimin që këto standarde të reja do të kenë në veprimtarinë e tyre, veçanërisht SNRF 15. Ne presim që një numër industrish (të tilla si ato të përfshira në ofrimin e shërbimeve të kontraktuara me afat të gjatë ose të shitjes së liçencave) do të preken dhe mund të kenë nevojë të kërkojnë konsulencë fiskale për të siguruar pajtueshmërinë me sistemin tatimor.

Dorina Asllani Ndreka,
Eurofast Global Albania
E. tirana@eurofast.eu

Please read our DISCLAIMER