Shqipëria miraton buxhetin për vitin 2018

Parlamenti shqiptar pas një sesioni të gjatë dhe debateve të shumta, miratoi me shumicë votash, buxhetin për vitin fiskal 2018. Draft buxheti u shoqërua nga Relacioni përkatës dhe nga një sërë prezantimesh.

Sipas qeverisë shqiptare buxheti i vitit 2018 do të ketë më shumë burime të disponueshme. Kjo do të jetë rezultat kryesisht i qëllimit të qeverisë për të thelluar dhe zgjeruar luftën kundër informalitetit. Vëmendje të veçantë do t’i kushtohet taksës së pasurive të paluajtshme, ku Shqipëria rezulton pas vendeve të tjera të rajonit dhe të BE-së, si një burim i rëndësishëm i të ardhurave të qeverisjes vendore dhe një rregullator i tregut. Taksa e pronës në Shqipëri deri tani ka qenë me vlerë fikse, ndërkohë që prej Janarit 2018, do të varet nga vlera e pasurisë. Kjo taksë do të jetë 0.05% për pronarë individë. Është vlerësuar që do të ketë një rritje të të ardhurave prej kësaj takse në masën 21 milionë euro.
Niveli mesatar i investimeve publike do të jetë 5% e PBB të vendit. Qeveria është e angazhaur që të vazhdojë mbështetjen e një sërë reformash që janë në proces: reforma për furnizimin më ujë të pishëm, reforma në drejtësi, reforma e administratës publike, reforma e menaxhimit të financave publike dhe reforma administrative territoriale.

Do të ketë disa ndryshime që do të prekin buxhetin e qeverisjes vendore. Për herë të parë si rezultat i zbatimit të ligjit të ri për financimin e qeverisjes vendore, të miratuar në prill të vitit 2017, 2% e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale do t’u transferohen buxheteve lokale. Të ardhurat nga njësitë e qeverisjes vendore për 2018 pritet të jenë 9% më të larta se ato të vitit 2017, kryesisht si rezultat i rritjes së tatimit mbi pasurinë e paluajtshme.

Defiçiti për vitin 2018 është planifikuar të jetë 2% e PBB. Niveli i borxhit publik, pritet të ulet me rreth 2,5%, duke arritur në 68,6% të PBB, duke e vazhduar këtë trend në rënie për një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Financimi i defiçitit do të kryhet nëpërmjet huamarrjes së brendshme dhe të jashtme, huave me terma të favorshëm në mbështetje të politikave të zhvillimit të ndërmarra nga qeveria dhe kredive tregtare, në rastet kur kushtet e tregjeve financiare do të jenë optimale.

Një prej çështjeve më të diskutuara të projekt buxhetit ishte rritja e investimeve nëpërmjet partneritetit publik privat. Qeveria shqiptare planifikon të rrisë investimet në infrastrukturë, të cilat do të jenë 16% më shumë se në 2017 dhe synon kryesisht që të përfundojë disa prej rrugëve më kryesore, si autostradën Tiranë – Elbasan, bajpasin e Fierit, etj.

Ligji për buxhetin u miratua vetëm me votat e anëtarëve të parlamentit pjesë e shumicës parlamentare. Partitë opozitare nuk e votuan ligjin për buxhetn, i cili sipas tyre rriste taksat me 2 miliardë euro. Ndërkohë sipas qeverisë, rritja e të ardhurave në buxhet vjen si rezultat i përmirësimit të mbledhjes së taksave dhe performancës së administratës tatimore, megjithëse pranohet që ka një rritje në një sërë taksash, si taksa mbi pronën, rritja e numrit të bizneseve me TVSh, etj. Gjatë 2018 qytetarët shqiptarë do të pagujnë më shumë për pasurinë e paluajtshme, furnzimin me ujë në Tiranë, cigaret, makinat e luksit dhe 9,000 biznese do të përfshihen në skemën e TVSh, si rezultat i uljes së xhiros minimale nga 5 milionë lek në 2 milionë lek në vit.

Drilona Likaj
Eurofast Global Albania
E: drilona.likaj@eurofast.eu

Ju lutemi te lexoni Paralajmërim-in