Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) ka raportuar se gjatë tremujorit të dytë të vitit 2017, papunësia në Shqipëri ka rënë në nivelin e 13.9%. Kjo përbën nivelin më të ulët që prej 2012. Në 2014 niveli i papunësisë arriti nivelin më të lartë të matur vitet e fundit me 18.2%, dhe që atëherë ka qenë në rënie të vazhdueshme.
Papunësia është pak më e ulët tek femrat me 12.5%, krahasuar me atë të meshkujve që është 14.9%. Ka ndodhur një rënie me 3.4% e papunësisë së personave të rinj, që i përkasin moshës 15-29 vjeç. Norma e papunësisë për këtë grup moshë është 26.4% për tremujorin e dytë të 2017, e cila është 7.8% më e ulët se e njëjta periudhë e vitit 2015.
Një prej faktorëve kryesorë që kanë ndikuar në rënien e papunësisë është rritja e shkallës së punësimit, e cila ka rezultuar me 3.4% më e lartë se e njëjta periudhë e 2016, dhe 1.8% më e lartë se tremujorei i parë i 2017-ës. Sektori i shërbimeve ka pasur rritjen më të madhe me 9%, ndërkohë që sektori i industrisë është rritur me 2.5%. Sektori i punësimit në bujqësi ka pësuar rënie me 1.7%.
Këto të dhëna të INSTAT, konfirmohen edhe nga një raport i paraqitur nga Banka e Shqipërisë, i bazuar në një anketim të bërë në 1209 familje shqiptare. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, rënia e papunësisë ka ardhur si rezultat i rritjes së punësimit, veçanërisht në sektorin e shërbimeve publike. Kjo është e lidhur me zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri në korrik të vitit 2017 dhe me fushatën zgjedhore që i parapriu. Ky është një fenomen i njohur, i vërejtur edhe në fushata të tjera elektorale. Si rezultat i këtyre zhvillimeve pozitive në tregun e punës, Banka e Shqipërisë vërejti që niveli i të ardhurave familjare dhe niveli i shpenzimeve janë rritur gjatë kësaj periudhe, por duke qenë se shpenzimet janë rritur më shumë se të ardhurat, ka ndodhur një zvogëlim në bilancin financiar të familjeve shqiptare.
Një sërë ekspertësh kanë argumentuar se një prej arsyeve kryesore të rënies së papunësisë është edhe rritja e numrit të të rinjve shqiptarë që po largohen prej vendit.
Ndërkohë, qeveria shqiptare, ka deklaruar se do të vazhdojë të ulë normën e papunësisë, duke synuar të arritjë një nivel një shifror. Kjo është sanksionuar në programin politik të qeverisë shqiptare, të miratuar me vendimin nr.84/2017 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Drilona Likaj
Eurofast Tirana Office
E. drilona.likaj@eurofast.eu
T. + 355 (0) 42 248 548
Please read our DISCLAIMER