Qeveria shqiptare planifikon të përfshijë biznesin e vogël në skemën e TVSh-së

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është një prej tatimeve më të rëndësishme në sistemin fiskal shqiptar. Në bazë të parashikimeve ligjore aktuale, të gjitha bizneset janë subjekte të TVSh-së, me përjashtim të bizneseve të vogla, të cilat konsiderohen ato që kanë një xhiro më të vogël se 5,000,000 lekë (37,000 Euro). Ndryshimet e fundit paraqesin heqjen e kufirit minimal të pëfshirjes në skemën e TVSh-së, të cilat pritet të hyjnë në fuqi me vitin e ri fiskal, duke filluar prej 1 janarit 2018.

Në fund të çdo viti financiar, qeveria shqiptare njofton ndryshimet kryesore që planifikon të zbatojë në buxhet dhe në vitin e ri fiskal. Lidhur me buxhetin e vitit 2018, një prej deklaratave që ka ngjallur më shumë debat, është ajo e bërë nga Ministri i Financave dhe i Ekonomisë dhe e mbështetur edhe nga Kryeministri, lidhur me përfshirjen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të bizneseve të vogla.

Përfaqësuesit e bizneseve të vogla e kanë kundërshtuar këtë reformë dhe kanë paralajmëruar rritje të çmimeve, dhe si rezultat përfundimtar, falimentimin e një sërë biznesesh të vogla, të cilat janë kryesisht biznese familjare dhe të vetëpunësuar. Kjo nënkupton një kosto të lartë shoqërore të kësaj reforme. Duke marrë parasysh, se këto ndryshime janë diskutuar vetëm në nivel politik, pasi ende nuk ka një draft ligjor, është e vështirë që të analizohen parashikimet specifike dhe ndikimi i pritshëm mbi çmimet apo rritjen e mundshme të kostove adminsitrative.

Arsyet që paraqet qeveria për marrjen e një vendimi të tillë, janë të lidhura me luftën kundër informalitetit dhe me objektivin e qeverisë për të ndaluar çdo lloj forme të transaksioneve të padeklaruara. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është përfshirja në sistem e biznesit të vogël, gjurmimi i lëvizjes së mallrave dhe detyrimi e sipërmarrjeve të mëdha që të lëshojnë faturë tatimore për çdo transaksion që kryejnë.
Në bazë të deklaratave të bëra deri tani nga qeveria, këto masa nuk do të zbatohen për artizanët dhe tregtarët e vegjël, që shesin në tregjet e administruara nga bashkitë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar qëndrimin e tij kundër përfshirjes së biznesit të vogël në skemën e TVSh-së. Pritet që numri i bizneseve të prekura të jetë rreth 70,000. Administrata tatimore do të duhet të përpunojë rreth 100,000 deklarata tatimore më shumë, në çdo tre muaj, duke rezultuar në një rritje të rëndësishme të kostove administrative. Ky qëndrim i FMN-së ka qenë i qëndrueshëm në çdo kohë, që një qeveri shqiptare ka sygjeruar përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e TVSh-së. Sipas FMN-së, bizneset e vogla janë të prirura të gjenerojnë më shumë fitime, nëse barra fiskale ulet.

Një zhvillim i rëndësishëm për këtë çështje është edhe vendimi i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, datë 19 korrik 2017, në të cilin është vendosur shfuqizimi i pjesshëm i Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.953, datë 23.12.2014, neni 11/2, lidhur me kufirin minimal të taksimit për avokatët si taksapagues. Akti ligjor përcaktonte se të gjithë avokatët ishin pjesë e skemës së TVSh-së, pavarësisht xhiros vjetore, duke e bërë zero kufirin minimal të regjistrimit për TVSh. Gjykata e Lartë e konsideroi këtë dispozitë të pambështetur në ligj, duke u shfuqizuar dhe duke lënë në fuqi kufirin e mëparshëm prej 5,000,000 lekësh.

Me biznesin e vogël dhe FMN që e kundërshtojnë këtë ndryshim, dhe qeverinë që argumenton se ekonomia shqiptare, si rezultat përfundimtar, do të ketë përfitime prej këtij ndryshimi, mbetet për t’u parë se si do të jenë zhvillimet në reformën e ligjit të TVSH-së.

Drilona Likaj
Eurofast Tirana Office
E. drilona.likaj@eurofast.eu
T. + 355 (0) 42 248 548

Please read our DISCLAIMER

Related posts: