Qeveria Shqiptare bën ndryshime në zbatimin e TVSh-së

Në Nëntor 2017, përpara miratimit të buxhetit për vitin tatimor 2018, qeveria shqiptare miratoi Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.652, datë 10.11.2017, i cili bëri një sërë ndryshimesh në VKM nr.953/2014, për zbatimin e ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Disa prej ndryshimeve kryesore të kryera përfshijnë: uljen e xhiros vjetore për përfshrijen në skemën e TVSh-së; uljen e normës së TVSh-së për shërbimin e akomodimit turistik; një sërë ndryshimesh lidhur me makineritë që përjashtohen nga pagesa e TVSh-së në import, etj.

Norma standarte e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në Shqipëri është 20%, me përjashtim të rasteve kur vendoset një normë e ndryshme, më e ulët. Më konkretisht, është neni 49 i Ligjit për TVSh-në, që përcakton kur është e mundur të aplikohet një normë më e ulët e TVSh-së. Një prej ndryshimeve kryesore të bëra nga VKM-ja e fundit është pikërisht e mbështetur mbi këtë nen. Norma e reduktuar e TVSh-së e cila do të zbatohet për furnizimin e shërbimeve të akomodimit që ushtrojnë veprimtari turistike do të jetë 6%.

Sipas kësaj VKM-je, ofrimi i shërbimeve të akomodimit do të thotë furnizimi me shërbime fjetjeje nga strukturat akomoduese. Legjislacioni për turizmin përcakton me saktësi kuptimin e atyre që përfshihen si subjekte, struktura, entitete që klasifikohen si të përshtatshme për ofrimin e shërbimeve të akomodimit.

Furnizimi i ushqimit ose çdo shërbim tjetër që ofrohet nga këto struktura, janë të përjashtuara nga norma e reduktuar e TVSh-së dhe jane subjekte të normës së zakonshme të TVSh-së. Norma e reduktuar e TVSh-së zbatohet edhe për ushqimin (mëngjesin), në të gjitha ato raste kur struktura akomoduese ofron mëngjesin të përfshirë në çmimin e shërbimit të fjetjes. Shërbimi i akomodimit për të cilin zbatohet norma e reduktuar e TVSh-së prej 6%, duhet të paraqitet veçmas në faturën e TVSh-së.

Në mënyrë që të përfitojë prej normës së reduktuar të TVSh-së, subjekti tregtar duhet të kryejë aktivitet vetëm në fushën e turizmit. Nëse ai kryen edhe aktivitete të tjera, ai duhet që t’i ndajë subjektet tregtare dhe të krijojë një të ri, i cili do të veprojë ekskluzivisht në fushën e turizmit. Zbatimi i TVSh-së së reduktuar, nuk kufizon të drejtën e subjektit tregtar për zbritjen e TVSh-së.

VKM parashikon gjithashtu disponim për prodhuesit bujqësor, të cilët aplikojnë për skemën e kompensimit. Kufiri minimal për t’u regjistruar në tatimin mbi vlerën e shtuar për prodhuesit bujqësorë, që i nënshtrohen regjimit të veçantë, skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë, është qarkullimi prej 5 milionë lekë në një vit kalendarik.
Qeveria shqiptare duke ulur normën e TVSh-së për shërbimet e akomodimit turistik synon uljen e çmimeve në këtë sektor, si dhe uljen e kostove për subjektet tregtare që veprojnë në këtë fushë. Vendimi i Këshillit të Ministrave, përfshin gjithashtu edhe ndryshimin e rëndësishëm lidhur me uljen qarkullimit vjetor për përfshirjen në skemën e TVSh-së.

Neni 117 i ligjit 92/2014, cakton Këshillin e Ministrave si autoritetin kompetent që përcakton kufirin e qarkullimit vjetor për përfshirjen në skemën e TVSh-së të subjekteve tregtare. Në zbatim të këtij neni, kufiri i qarkullimit vjetor për subjektet tregtare që përfshihen në skemën e TVSh-së, ka zbritur nga 5 000 000 (pesë milionë) lekë, në 2 000 000 (dy milionë lekë) për vit kalendarik.

Drilona Likaj
Eurofast Global Albania
E: drilona.likaj@eurofast.eu

Ju lutemi te lexoni Paralajmërim-in